Në Klinikën e Kardiologjisë në QKUK është shënuar rritje e dukshme e volumit të punës gjatë muajve të fundit, si rezultat i angazhimit shtesë profesional dhe organizativ të stafit mjekësor. Aktualisht realizohen rreth 18 procedura në ditë, me synimin për të ulur më tej numrin e pacientëve në listat e pritjes.
Sipas të dhënave zyrtare, çdo pacient para përfshirjes në listë i nënshtrohet vlerësimit nga një komision profesional i përbërë nga mjekë dhe infermierë, i cili shqyrton dokumentacionin mjekësor, gjendjen klinike dhe nivelin e urgjencës. Rastet emergjente trajtohen menjëherë dhe nuk futen në listë pritjeje.
Në Klinikën e Kardiologjisë janë të angazhuar rreth 40 kardiologë, prej të cilëve 16 janë të profilit invaziv, të specializuar për diagnostikimin dhe trajtimin e sëmundjeve ishemike të zemrës, përfshirë vendosjen e stentave dhe ndërhyrje të tjera të avancuara. Sipas drejtuesve të klinikës, rritja e punës po realizohet pa cenuar sigurinë dhe cilësinë e shërbimeve shëndetësore. Raporti i vitit 2025, i cili përfshin vetëm nëntë muaj pune, tregon se është arritur pothuajse niveli i vitit 2024 sa i përket numrit të koronografive, ndërsa volumi i vendosjes së stentave mbetet i lartë.
Këto shifra, sipas klinikës, dëshmojnë intensifikim të punës mujore dhe rritje të kapaciteteve profesionale. Megjithëse gjatë vitit të kaluar në listën e pritjes ishin rreth 4,560 pacientë, aktualisht ky numër është ulur në rreth 2,000, çka përfaqëson një rënie të ndjeshme të pritjeve për shërbime kardiologjike. Nga Klinika e Kardiologjisë bëhet e ditur se angazhimi për ofrimin e shërbimeve cilësore për të gjithë pacientët do të vazhdojë edhe në muajt në vijim. /pasqyrapress/


