Gjatë festave të fundvitit, Klinika e Kirurgjisë Plastike në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës ka trajtuar një numër të konsiderueshëm pacientësh të lënduar si pasojë e përdorimit të mjeteve piroteknike, kryesisht petardave.
Sipas të dhënave nga klinika, pjesa më e madhe e rasteve përfshijnë fëmijë dhe adoleshentë, ndërsa lëndimet më të shpeshta janë regjistruar në duar, veçanërisht në gishta. Në disa raste, dëmtimet kanë qenë të rënda dhe kanë kërkuar trajtim të specializuar, si dhe ndërhyrje të shumta mjekësore.
Përveç duarve, mjekët kanë evidentuar edhe lëndime në zonën e fytyrës, të cilat mund të lënë pasoja afatgjata, si funksionale ashtu edhe estetike. Aktualisht, gjashtë pacientë vazhdojnë të jenë të hospitalizuar, për shkak të lëndimeve të rënda, të cilat kërkojnë mjekim intensiv dhe rehabilitim të gjatë. Nga Klinika e Kirurgjisë Plastike theksohet se këto lëndime shpesh shoqërohen edhe me pasoja psikologjike dhe u bëhet thirrje prindërve, kujdestarëve dhe institucioneve përgjegjëse që të rrisin kontrollin dhe ndërgjegjësimin për rreziqet e përdorimit të mjeteve piroteknike, veçanërisht nga fëmijët. /pasqyrapress/


