Qytetarët e Gjilanit që nuk kanë mundësi të paraqiten fizikisht në qendrat shëndetësore po përfitojnë gjithnjë e më shumë nga shërbimi shëndetësor në shtëpi, i cili po zbatohet në kuadër të Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare “Dr. Nagip Rexhepi”.
Ky shërbim është pjesë e kujdesit parësor shëndetësor dhe synon t’u dalë në ndihmë pacientëve të moshuar, personave me gjendje të rënduar shëndetësore apo atyre me pamundësi fizike, duke u ofruar vizita mjekësore dhe shërbime infermierore direkt në shtëpitë e tyre. Gjatë vitit 2025, shërbimi është realizuar nga tri ekipe profesionale, secila e përbërë nga një mjek dhe dy infermierë, të cilët kanë punuar në dy ndërrime, shtatë ditë në javë, për të garantuar mbulim të vazhdueshëm dhe qasje të barabartë për të gjithë pacientët. Sipas të dhënave zyrtare, gjatë këtij viti janë realizuar gjithsej 8 mijë e 775 kontrolle mjekësore në shtëpi, si dhe 19 mijë e 735 shërbime infermierore. Nga këto, janë kryer mbi 5 mijë infuzione, 1 mijë e 669 injeksione, 2 mijë e 378 përpunime të plagëve, si dhe shërbime të tjera sipas nevojave të pacientëve, ka shkruar Dita 24h.
Drejtori i QKMF-së, Dr. Basri Kamberi, ka shprehur mirënjohje të veçantë për stafin shëndetësor të angazhuar në këtë shërbim, duke vlerësuar profesionalizmin, përkushtimin dhe punën e pandërprerë në ofrimin e shërbimeve cilësore dhe në kohë për qytetarët. /pasqyrapress/


