Pas njoftimit të institucioneve për largimin nga tregu të një serie të caktuar të qumështit Aptamil, kompania kosovare “Union” ka sqaruar situatën duke theksuar se produkti në fjalë është testuar dhe plotëson standardet evropiane të sigurisë ushqimore. Në reagimin e saj, kompania bën të ditur se pas alarmit të ngritur nga autoritetet në Kroaci janë zhvilluar menjëherë analiza shtesë dhe kontrollime sistematike për formulën Aptamil AR 1.
Sipas rezultateve të këtyre testimeve, produkti konsiderohet i sigurt për përdorim dhe në përputhje me rregulloret e Bashkimit Evropian. Megjithatë, si hap parandalues dhe në funksion të mbrojtjes së konsumatorëve, kompania ka vendosur që në koordinim me Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinarisë ta largojë përkohësisht produktin nga tregu. “Vendimi për tërheqje është marrë si masë parandaluese dhe në bashkëpunim të plotë me institucionet përgjegjëse”, thuhet në deklaratën e kompanisë. Ndërkohë, Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë ka konfirmuar se masa e ndërmarrë lidhet vetëm me një seri të caktuar të qumështit Aptamil, ku gjatë kontrollit është evidentuar prania e bakteries Bacillus cereus. /pasqyrapress/


