Një ekip mjekësh në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës ka realizuar me sukses një ndërhyrje të rrallë dhe delikate, duke shpëtuar jetën e një vajze 14-vjeçare. Sipas njoftimit, pacientja ishte në rrezik serioz për jetën, pasi një gjilpërë kishte depërtuar në zonën mes zemrës dhe mushkërive.
Ndërhyrja kirurgjikale u krye nga kirurgët torakalë dhe u konsiderua emergjente për shkak të komplikimeve të mundshme. Vajza është operuar para dy ditësh dhe gjendja e saj shëndetësore raportohet stabile. Rasti cilësohet i rrallë në praktikën mjekësore dhe ndërhyrja e suksesshme vlerësohet si një arritje profesionale për stafin shëndetësor të QKUK-së. /pasqyrapress/


