15.3 C
Pristina
HomeShëndetësiQKUK sjell teknologji të avancuar për diagnostikimin e stroke-ut

QKUK sjell teknologji të avancuar për diagnostikimin e stroke-ut

Një zhvillim i rëndësishëm në fushën e neurologjisë po shënohet në Qendra Klinike Universitare e Kosovës, ku tashmë ka filluar të përdoret një teknikë moderne për vlerësimin e pacientëve me probleme cerebrale.

Metoda në fjalë, e njohur si Transcranial Doppler (TCD) bubble test, është një procedurë jo-invazive që ndihmon në identifikimin e problemeve të mundshme që lidhen me qarkullimin e gjakut drejt trurit. Ajo përdoret veçanërisht në rastet e dyshuara për goditje në tru (stroke), duke ofruar një mënyrë më të shpejtë dhe efikase për diagnostikim fillestar. Ky test ka si qëllim kryesor zbulimin e një komunikimi të pazakontë midis anës së djathtë dhe të majtë të zemrës, siç është Patent Foramen Ovale (PFO).

Kjo gjendje, në disa raste, lidhet me rrezikun e goditjes në tru, sidomos te pacientët më të rinj, ku shkaku i stroke-ut shpesh mbetet i paqartë. Një rezultat pozitiv në këtë test rrit dyshimet për kalim jonormal të gjakut dhe i orienton mjekët drejt hetimeve të mëtejshme. Në këto raste, pacientët mund t’i nënshtrohen ekzaminimeve më të avancuara kardiologjike, të cilat janë më invazive, për të konfirmuar diagnozën dhe për të vendosur trajtimin më të përshtatshëm.

Në situata të caktuara, mund të merret në konsideratë edhe ndërhyrja për mbylljen e këtij komunikimi në zemër. Avantazhet e kësaj metode janë të shumta. Testi është i shpejtë, nuk kërkon procedura të komplikuara dhe ka ndjeshmëri të lartë në zbulimin e problemeve të tilla. Për më tepër, ai ndihmon në sqarimin e shkakut të goditjeve në tru, duke përmirësuar ndjeshëm vendimmarrjen mjekësore. Sipas të dhënave të publikuara, që nga fillimi i aplikimit të kësaj metode në vitin 2025, në këtë klinikë janë realizuar dhjetëra raste me sukses, duke dëshmuar efektivitetin e saj në praktikën klinike. Ky hap konsiderohet një avancim i rëndësishëm për sistemin shëndetësor në vend, duke sjellë më afër standardet bashkëkohore të diagnostikimit dhe duke rritur cilësinë e trajtimit për pacientët me sëmundje neurologjik.

Foto ilustruese: QKUK, facebook.

ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -
Google search engine

Më të Popullarizuarat