Në QKUK është shënuar një arritje e rëndësishme mjekësore, ku për herë të parë në Kosovë është kryer zëvendësimi i harkut të aortës me procedurën e avancuar ndërkombëtare Frozen Elephant Trunk (FET).
Krahas kësaj, mjekët realizuan edhe zëvendësimin e rrënjës së aortës me Bentall procedurën. Pacienti kishte pasur probleme të rënda me aortën dhe, pas operimit jashtë vendit disa vite më parë, gjendja e tij ishte përkeqësuar, duke kërkuar një ndërhyrje të re urgjente.
Operacioni u udhëhoq nga Prof. Dr. Omer Xhemaili, së bashku me specialistë ndërkombëtarë nga Cyrihu dhe ekipet vendore të kardiokirurgëve dhe anesteziologëve të QKUK-së. Përmes bashkëpunimit të ngushtë, u realizua me sukses një ndërhyrje e konsideruar ndër më të ndërlikuarat në fushën e kardiokirurgjisë. /Pasqyrapress/.


