Autoritetet në Zvicër kanë bërë të ditur se janë identifikuar të gjitha viktimat e zjarrit tragjik që përfshiu një autobus postar në zonën e Chietres. Ngjarja ndodhi të martën pasdite dhe përfundoi me gjashtë persona të vdekur dhe pesë të plagosur. Sipas informacioneve të autoriteteve, mes viktimave është edhe autori i dyshuar, një burrë zviceran 65-vjeçar nga kantoni i Bernës. Ndër viktimat e tjera janë edhe shoferi i autobusit, një burrë 63-vjeçar me origjinë portugeze, dy gra të moshës 25 dhe 39 vjeç, si dhe dy burra të moshës 16 dhe 29 vjeç. Të gjithë ata ishin banorë të rajonit. Autoritetet kanë identifikuar gjithashtu edhe pesë të plagosurit nga incidenti. Dy prej tyre janë duke marrë trajtim në spital: një grua 56-vjeçare dhe një burrë 34-vjeçar. Ndërkohë, për të ndihmuar familjet e viktimave, të plagosurit dhe dëshmitarët, është hapur një linjë ndihme. Hetimet për motivet dhe rrethanat e ngjarjes janë ende në zhvillim, ndërsa komuniteti lokal mbetet i tronditur nga kjo tragjedi. /pasqyrapress/


