Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka njoftuar pezullimin e menjëhershëm të një ekspozite të vendosur në sheshin e kryeqytetit, duke reaguar ashpër ndaj përmbajtjes së saj. Ai theksoi se ekspozita paraqet një version të pasaktë dhe të papranueshëm për ngjarjet në Burgun e Dubravës, duke e cilësuar këtë si cenim të dinjitetit të qytetarëve dhe fyerje ndaj viktimave. Njëkohësisht, Rama ka kërkuar përgjegjësi politike dhe institucionale për mënyrën e miratimit dhe financimit të kësaj ekspozite.
“Jo në Prishtinë. Nuk lejojmë që në sheshin e Kryeqytetit tonë të përdhoset dinjiteti i qytetarëve dhe të fyhet kujtesa kolektive e popullit tonë. Ekspozita e financuar nga Kuvendi i Kosovës paraqet një version të pasaktë dhe të papranueshëm të Masakrës së Dubravës. Kjo është e papranueshme dhe përbën fyerje të drejtpërdrejtë ndaj viktimave dhe gjithë qytetarëve të Kosovës. Për këtë arsye, sonte menjëherë e pezullojmë lejen për këtë ekspozim në sheshin e Prishtinës. Njëkohësisht, kërkojmë përgjegjësi politike dhe institucionale nga Kuvendi i Kosovës për miratimin dhe financimin e një përmbajtjeje të tillë skandaloz, ka shkruar Rama në facebook. /pasqyrapress/


