Një rast i pazakontë mjekësor është trajtuar me sukses në Spitalin e Përgjithshëm “Dr. Sami Haxhibeqiri” në Mitrovicë, ku një pacient 54-vjeçar iu nënshtrua një ndërhyrjeje urologjike për largimin e tre gurëve me përmasa të konsiderueshme nga sistemi urinar.
Sipas njoftimit të spitalit, ekipi i urologëve ka realizuar operacionin me sukses, duke hequr një gur rreth 7.5 centimetra nga fshikëza urinare, një tjetër rreth 4 centimetra nga ureteri, si dhe një gur me madhësi deri në 2 centimetra nga veshka. Pas trajtimit dhe periudhës së rikuperimit në spital, pacienti është liruar në gjendje të mirë shëndetësore.
Ky rast konsiderohet i veçantë për shkak të madhësisë së gurëve të larguar dhe punës së ekipit mjekësor në menaxhimin e suksesshëm të ndërhyrjes.


